Befason analisti: Lufta në Ukrainë, mundësi e artë për Kosovën në aspektin strategjik! Çfarë duhet të bëjë Kurti

Analisti Nexhmedin Spahiu, është shprehur se Lufta në Ukrainë është një mundësi e artë për Kosovën në aspektin strategjik.

Duke folur në Report Tv, ai tha se pavarësisht se Rusia i ka shtrirë tentakulat e saj deri në Ballkan, kjo sipas tij nuk përbën një rrezik.

Spahiu shtoi se Serbia nuk mund të bëjë të njëjtën gjë me Kosovën, si Rusia me Ukrainën, kjo pasi ka frikë nga reagimi i NATO-s, një gjë për të cilën Putin nuk shqetësohet.

“Ka të drejtë kur thotë që Rusia ka tentakulat në Ballkan, kjo është evidente. Nuk ka rrezik që situata në Ballkan të përkeqësohet, pasi i vetmi vend që është i prirur ta përkeqësoi është Serbia, kjo pasi Serbia se atë që NATO nuk mund t’i bëjë Rusisë, mund t’ia bëjë Serbisë”, tha ai.

Analisti i ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” tha se kjo situatë e luftës është mundësia e artë që ka Kosova për të bërë disa përparime në aspektin e saj strategjik-politik.

Sipas tij pasi të përfundoi lufta Kosova do të jetë në një pozicion të vështirë edhe nëse Rusia e humb.

“Për sa kohë po zgjat lufta në Ukrainë, Kosova ka një mundësi të artë për të avancuar gjendën e saj drejt synimeve të saj strategjike. Njohja nga 5 vende evropian, anëtarësi në KE, në OSBE, në NATO dhe BE.  Në momentin që do të ketë përfunduar lufta, situata e Kosovës do të jetë e rrezikuar. Sido që të përfundoi lufta, Kosova do të jetë në një pozicion të vështirë. Nëse fiton Rusia, Serbia do të ndihet edhe më e forcuar. Nëse fitorja i shkon Ukrainës, prapë situata do të jetë e keqe për Kosovës, kjo sepse aleatët e Kosovës nuk do  e shohin më Serbinë si rrezik, do ta lënë Kosovës të përballet e vetme. Është momenti që Kurti t’i bëjë pazarin Serbisë që të bëjë njohjen, kjo do të ishte ideale për vendin tonë.”, u shpreh ai.

Spahiu tha se nëse Putin arrin të bëjë të njëjtën gjë me Ukrainën, ashtu si me Bjellorusinë do të krijojë Rusinë e madhe.

“Bjellorusia është vetëm de jure e pavarur, por në fakt është pjesë e Rusisë. Nëse Putin arrin të bëjë të njëjtën gjë edhe me Ukrainën, atëherë do të jemi përballë Rusisë së Madhe. Nëse kjo formulë do të vlente, atëherë pse edhe serbët mos të krijonin Serbinë e Madhe. Fitorja e Rusisë do të shtrojë pikërisht këtë problem”, tha analisti.