Viktima e parë nga zjarret, Basha: Qeveria me masa gjysmake, e papërgatitur si në rastin e tërmetit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas shënimit të viktimës së parë të zjarreve në vend. Ndërsa i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, shkruan se qeveria është fajtore për këtë situatë.

Basha shkruan se qeveria ka marrë masa gjysmake për këtë situatë emergjente, ndërsa shton se po ndodh njësoj si me tërmetin, ku emergjencat civile dhe qeveria janë gjendur të papërgatitur.

Postimi i Bashës:

I shpreh ngushëllimet familjes së Andrea Haxhiaj që humbi jetën sot si pasojë e zjarrit në zonën e Gjirokastrës. Masat gjysmake te qeverisë nuk e kanë normalizuar dot situatën alarmante të shkaktuar nga zjarret e ditëve te fundit në vend. Pavarësisht  paralajmërimeve të qytetarëve dhe medias, në shumë zona zjarret vijojnë prej ditësh, ndërsa angazhimi i vetëm i qeverisë ka qenë përpjekje me mjete rrethanore të papërshtatshme dhe servirja e videove te zyrës së propagandës. Si në rastin e tërmetit, emergjencat civile dhe qeveria ndodhen totalisht të papërgatitura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore. Përgjegjësi i kësaj situate vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët dhe qindra hektarë që po digjen prej ditësh. Është momenti që çdokush që ndodhet në zonat e rrezikuara nga zjarri të largohet dhe të kujdeset për jetën. Forcat e emergjencës që ndodhen në terren të marrin masa urgjente që brenda mundësive të sigurojnë jetën e banorëve të rrezikuar dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të zjarreve./albeu.com