Sot nisi procesi i regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që duan të votojnë më 11 maj, ndërsa procesi zgjat deri në 4 mars.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar hapat që duhet të ndjekin emigrantët jashtë vendit për tu regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit.
Çfarë duhet të dini:
Regjistrimi në listë bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë (PER-it) e cila administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Regjistrimi kërkon një pajisje elektronike. Si fillim, emigranti duhet të krijojë një llogari në sistem, duke përdorur një numër telefoni, ose një ‘email’, si dhe të dhënat personale, si ditëlindja, vendlindja, numri personal.
Llogaria krijohet vetëm duke treguar zgjedhësi fytyrën e tij përpara kamerës, për të shmangur votimet familjare apo përmes personave të tjerë.
Pasi krijon llogarinë, votuesi duhet të dërgojë një kërkesë po në këtë sistem, ku i duhet një dokument identifikimi shqiptar.
Në momentin e regjistrimit, pasaporta ose karta pranohen edhe nëse iu ka skaduar afati. Dokument tjetër me rëndësi, është një vërtetim se personi banon aty ku është i regjistruar.
KQZ pranon dokumente të shumëllojshme, nga dokumentet e pronësisë, tek qiramarrjet apo faturat e ujit, gazit, energjisë, apo çdo abonim tjetër, përfshirë dhe dokumentet bankare. Adresa është e rëndësishme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i dërgojë fletën e votimit dhe materiale të tjera udhëzuese aty ku emigranti jeton.
Brenda 5 ditësh, KQZ-ja do ta informojë emigrantin, nëse kërkesa e tij u pranua ose u refuzua. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri.
Dërgimi i fletës së votimit bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpërmjet shërbimit postar.
Pasi të kenë marrë fletën e votimit, emigranti e plotëson atë sipas udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke zgjedhur subjektin zgjedhor dhe/ose kandidatin që dëshiroi.
Fleta e votimit dërgohet mbrapsht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke llogaritur kohën që ajo të mbërrijë në këtë institucion, jo më vonë se ora 19:00 e datës 11 Maj 2025.
Kostot e shërbimit postar për dërgimin e fletës së votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek emigranti, si dhe kthimin e saj nga emigranti për tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të paguhen nga shteti shqiptar.