Të tjera detaje ka dhënë sot Policia e Kosovës për vetëvrasjen e Sokol Halilit, i cili vrau ish-gruan e tij shtatzënë para maternitetit në Prishtinë.
Gjatë ndërhyrjes në Davidovc të Shtimes, sipas policisë, janë larguar anëtarët e familjes së Halilit nga shtëpia, ndërsa ai nuk ka pranuar negocimin me policinë dhe ka qëlluar veten me revole.
Policia ka informuar se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë.
“Njësitë policore kanë zhvilluar një aksion për arrestimin e të dyshuarit kosovar lidhur me rastin vrasje. Gjatë intervenimit është arritur që të largohen anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk ka pranuar negocimin me policinë dhe ka qëlluar veten me revole. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë. Përveç njësive të nevojshme policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.”, ka bërë të ditur Policia.
Të mërkurën në mbrëmje Sokol Halili vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, Hamide Magashin, pranë Klinikës së Gjinekologjisë.
Mes lotësh, dje në Lipjan i është dhënë lamtumira e fundit shtatzënës Hamide Magashi.