SHBA me sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviçit në veriun e Kosovës

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në Evropë dhe hemisferën perëndimore, mes së cilëve një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.

Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit shënjestëroi të mërkurën grupin e afaristit serb Zvonko Veselinoviç.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efektet masivisht destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike”, tha drejtori i Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja, Andrea M. Gacki. “Thesari, tha ai, do të vazhdojë të çmontojë në mënyrë agresive lidhjet midis organizatave kriminale transnacionale dhe aktivitetit korruptiv, veçanërisht të atyre që anë në detyrë dhe kanë besimin e publikut”.

Në njoftimin e departamentit të Thesarit, thuhet mes tjerash se Zvonko Veselinoviç, si shef i grupit të krimit të organizuar është një nga figurat e më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.

Grupi i tij, thuhet ne njoftim, është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi, për të lehtësuar trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftim theksohet se Zvonko Veselinovic dhe grupi i tij u akuzuan nën dyshimet për përfshirjen në vrasjen e politikanit lokal serb, Oliver Ivanoviç, në janar të vitit 2018. Zvonko Veselinoviç dhe anëtarët e tjerë të grupit të krimit të organizuar Milan Rajko Radojçiç, Zhelko Bojiç dhe Marko Rosiç, u përmendën të gjithë në aktakuzën për vrasjen. /voa


Shtuar 8.12.2021 17:54