Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Sipas përgjigjes së Prokurorisë, Hajdari rezulton i dënuar në Greqi më dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë.
Po sipas vendimit, mësohet se Hajdari është dënuar me 4 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në gjobë me vlerën e 1500 dhrahmive, vendim i marrë më 23 qershor të vitit 1999.
Vendimi i Zyrës së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme tanimë është në “duart” e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cilit pritet që gjatë mbledhjes së të martës të vendosë për mandatin e socialistit Hajdari, i cili u rizgjodh për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Kuçovës më 14 maj.