Vëllai i ish-komandantit të Gardës shkon në SPAK, mbi një or dëshmi për disa çështje

Biznesmeni Artan Sako, vëllai i ish-drejtorit të Gardës së Republikës Gramoz Sakos është paraqitur në SPAk ku ka dëshmuar për rreth një orë.

Sako është pyetur në cilësinë e personit në dijeni në lidhje me disa çështje që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.

Burime për News 24 raportojnë se Artan Sako është lakuar shpesh për aktivitetin e tij, ku në të paktën dy procedime të mëparshme të SPAK, kompania që posedon rezulton se ka marrë pjesë në tendera publik.

Dëshmia e parë ka të bëjë me hetimet për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberin teksa ky i fundit u arrestua për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Emri i Sakos përmendej në procedurat e një tenderi, që iu dha kompanisë të tij të quajtur “2T” për mirëmbajtje rruge, ku në garë ishte vetëm kompania në fjalë dhe u shpall fituese me ofertën 99% të fondit limit.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, “2T” është në pronësi të Dritan Troksit dhe Artan Sakos. Objekt i tenderit të ARRSH-së ku “2T” u shpall fituese, kishte “mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore të tre rajoneve”, Qendror dhe Juglindor me një vlerë rreth 50 milionë euro, ndërkohë loti 3, ka një vlerë totale 1.455.726.087 lekë me TVSH, ose rreth 12 milionë euro.

SPAK nuk e konfirmon zyrtarisht që Sako dha deklarime këtë të hënë për këtë çështje.

Ndërkohë çështja e dytë ku është lakuar emri i Artan Sakos, ka të bëjë me nënkontraktimin e kompanisë së tij nga kompania koncensionare SaniService pa miratimin e autoritetit kontraktor, Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me tenderin e sterilizimit.


Shtuar 14.10.2024 16:20