Veliaj me nxënësit e Tiranës: Nga janari bursa falas për kurset dixhitale te piramida

Vitin e ardhshëm në muajin janar, Bashkia e Tiranës do të ofrojë kurse digjitale falas te qendra Tumo te Piramida.

 

“Bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim kemi vendosur që, për çdo djalë dhe çdo vajzë që dëshiron të marrë njohuri digjitale, ne do t’ua paguajnë bursën e plotë. Pavarësisht si e ka mbiemrin, pavarësisht nga çfarë familje vjen, pavarësisht nga e ka origjinën, ku jeton, dhe pavarësisht gjendjes ekonomike, çdo çun dhe çdo gocë në Tiranë duhet ta ketë njësoj mundësinë që aftësohet me kurse digjitale”

 

Gjithashtu, mbështetjen Bashkia e vijon edhe për nxënësit ekselentë, ku vetëm gjatë këtij viti, janë dhënë 2926 bursa për arritje të shkëlqyera në mësime.

 

“Këtë vit kemi thyer rekord për numrin e nxënësve me dhjeta. Prandaj, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa t’u themi çunave dhe gocave: Bravo ju qoftë! Bursa është një kontribut i qytetit, jo për t’ju bërë të pasur, por për t’ju thënë, jo vetëm nxënësve me dhjeta, por edhe të tjerëve, se nëse duan të ecin përpara në jetë, duhet të mësojnë fort, derisa t’ia dalin, duke mos u dorëzuar e duke na bërë të gjithëve krenarë”.

 

Gjatë takimit me nxënësit ekselentë të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, bëri edhe një apel për këdo që ka mundësi për të kontribuuar këtë fundvit, e për t’iu gjendur pranë familjeve në nevojë, duke dhuruar diçka në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës.


Shtuar 19.12.2023 15:32