Vdekjet nga ataku kardiak në det, mjekët japin alarmin: Po rritet numri i të rinjve të prekur nga sëmundjet e zemrës

Në 5 vitet e fundit, 49 persona kanë humbur jetën në plazhet shqiptare. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, ataku kardiak është shkaku kryesor i këtyre ngjarjeve fatale.

Për të shmangur sulmet ne zemër, mjekët kardiologë këshillojnë që futja në det të mos bëhet në mënyrë të menjëhershme.

Mimoza Luzati, mjeke kardiologe: Ne rekomandojmë gjithmonë që futja të jetë graduale, asnjëherë hedhje të menjëhershme, të lagen këmbët, duart, të mësohet trupi me temperaturën e ujit dhe më pas të bëhet zhytja e plotë e trupit në ujë.

Të moshuarit janë ata që kryesisht kanë humbur jetën në det si pasojë e atakut kardiak, megjithatë nuk mungojnë edhe moshat më të reja, pasi viteve të fundit edhe tek ta janë shtuar rastet me sëmundje zemre.

Mimoza luzati, mjeke kardiologe: Kemi një trend në ulje të moshës së pacientëve të prekur me sëmundje kardiovaskulare, dhe 35 vjeç kemi pasur raste gjatë muajve të fundit që kemi konstatuar këtu në qendrën tonë.

Prania e vrojtuesve të plazhit dhe kontakti direkt me urgjencën menjëherë sapo ndjehet shtrëngim në gjoks, lodhje apo marrje mendsh, janë domosdoshmëri për shmangien e ngjarjeve fatale.

Gjergj Gjata, përfaqësues, Federata Shqiptare e Vrojtuesve të Plazhit: Rastet kanë qenë goxha të shpeshta nga mosinformimi i këtyre personave. Prandaj duhet të jetë me se s’bën vrojtuesi i plazhit për të dhënë ndihmën e parë.

Përpara se të nisin pushimet, personat me sëmundje të zemrës apo hipertension rekomandohen që të konsultohen kardiologun për të marrë këshillat dhe trajtimet përkatëse mjekësore. /Tv Klan/


Shtuar 6.08.2023 15:55