Vdekja tragjike e 45 maqedonasve në Bullgari, reagon Rama: Nuk kam fjalë, dhimbje

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar në lidhje me tragjedinë e rëndë në Bullgari, ku pas djegies së një autobusi, kanë humbur jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Rama shkruan se nuk ka fjalë për tragjedinë dhe se ndjen dhimbje.

“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët…

Dhimbje”, shkruan Rama.

Autobusi ka hyrë përmes pikës kufitare Kapitan Andreevo mbrëmë pak pas orës 21:00. Rreth orës 3.00 është djegur në autostradën në drejtim të Sofjes – Bllagoevgrad, raporton albeu.com.

Ministri i Brendshëm bullgar, Bojko Rashkov tha se tragjedia do të zbardhet me detaje në vijim të hetimeve.

Detaje tronditëse janë bërë të ditura nga mediat bullgare të cilat shkruajnë se viktimat janë djegur aq shumë saqë nuk identifikohen dot. Ata do të identifikohen përmes ADN-së.

Dyshimet e shkakut të zjarrit janë dy: gabim njerëzor i shoferit ose defekt teknik, ka thënë zëvendësprokurori Boruslav Sarafov. Të mbijetuarit janë duke u marrë në pyetje nga një grup hetuesish të Shërbimit Hetimor Kombëtar./albeu.com


Shtuar 23.11.2021 08:21