Kryeministri Edi Rama ka shpallur 29 marsin si ditë zie, në nder të politikanit socialist Bashkim Fino.
Fino ndërroi jetë mëngjesin e sotëm si pasojë e infektimit me koronavirus dhe ndodhej i shtruar në spital prej një muaji ku po kurohej nga Covid-19.
Fino mësohet se vuante dhe nga leukemia, ndërsa kishte bërë transplant palcën dhe prej kohësh trajtohej në Milano, çka ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Fino është një politikan i njohur në Shqipëri, në vitin 1997 e në vazhdim ai ishte anëtar i Kryesis së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur po ashtu disa poste ministrore.
Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.