Vdekja e 31 vjeçares pas lindjes, familjarët protestojnë para Prokurorisë

Familjarët e 31-vjeçares që humbi jetën muajin e kaluar pak pasi solli në jetë foshnjën e saj, protestuan sot para Prokurorisë në Fier.

Bashkëshorti dhe familjarët e Elisabeta Lamaj akuzojnë mjekët për ndarjen nga jeta të nënës së re dhe kërkojnë të zbardhet ngjarja tragjike që ndodhi më 2 prill.

“Të gjithë pjesët që ka shqyrtuar prokuroria, duke marrë nga materialet nga kamerat, nga mos pyetja e një familjari tonë, të gjitha këto mua më çojnë në neglizhim.

Mosdalja e ekspertizës mjeko-ligjore, e cila ka afate ligjore deri në 2 javë sot ne kemi 4 javë e dy ditë gjë që do të thotë askush nuk na ka dhënë një përgjigje dhe as nuk duan të na japin një përgjigje.

Ai mjek plehra me gjithë të shoqen kanë fshirë çdo gjë dhe mendojnë se do të mbetet në heshtje, por kjo gjë nuk do të mbetet në heshtje do të vazhdojmë deri në fund deri sa fajtori të dalë.

Realisht aty ka shumë fajtorë, salla nuk ka qenë gati. Të më japin një shpjegim unë kërkoj një të drejtë. Prokuroria është ajo që nxjerr dhe i kërkoj të nxjerrë sa më shpejt ekspertizën mjeko-ligjore”, tha bashkëshorti i së ndjerës.

Sipas familjarëve, askush nuk ua ka marrë dëshmitë teksa kërkojnë përgjigje për hetimin e vdekjes së nënës së re në sallën e lindjes.


Shtuar 10.05.2021 12:43