Vajza nga Tirana denoncon administratoren në Komisariat: Po më kontrollon mua dhe familjen

Pas sherrit masiv të raportuar për një kamera sigurie të vendosur në një banesë private, një tjetër shtetas ka ngritur shqetësimin pranë policisë për vëzhgim dhe përndjekje. A.R është e shqetësuar jo vetëm për privatësine e saj, por edhe të motrës dhe dy prindërve. Për këtë arsye ajo u paraqit sipas burimeve të Gazetasi.al pranë komisariatit numër tre me pretendimin se personat që e kanë instaluar kameran e sigurisë po i ndërhyjnë në jetën private.

“Banoj në rrugën Gjergj Legisi me dy prindërit dhe motrën. Në katin e parë të pallatit dhe në ashensor janë vendosur afishe “Kujdes se ka kamera”. Në katin e parë të pallatit, në fasadën e jashtme dhe në ashensor ka kamera sigurie. Këto kamera janë vendosur nga administratorja T.H dhe dyshoj që ajo kontrollon lëvizjet e mia dhe të familjarëve të mi dhe se pamjet ua ka vendosur në dispozicion personave të tjerë”, thotë e reja në denoncimin e dorëzuar pranë policisë.

Pavarësisht se sipas policisë ky qëndrim i saj për ndërhyrje të padrejtë në jetën private parashikuar nga neni 121 i Kodit Penal, ndiqet me kërkesë të të dëmtuarit direkt në gjykatë, agjentët nuk e kanë refuzuar vajzën, por e kanë mbajtur shënim ankesën e saj.

“Ankesat për prani të kamerave janë shtuar dhe kjo nuk ka lidhje me jetën private të qytetarëve, por shumica e atyre që paraqiten në komisariate, i druhen vëzhgimit nga persona të tjerë.

Bëhet fjalë për persona që kanë konflikte të mëparshme ose që janë të ndërgjegjësuar për lirinë dhe të drejtat e tyre. Edhe rasti i A. R është i një qytetareje të shkolluar jashtë dhe ka informacion të bollshëm mbi të drejtat e saj”, pohon zyrtari i rendit për Gazetasi.al pranë drejtorisë vendore. Sipas tij, në shumicën e konflikteve, pavarësisht kërkesës për heqjen e kameras së sigurisë, administratorët ose pronarët e bareve, dhe bizneseve në katin e parë këmbëngulin se prezenca fizike e pajisjes vëzhguese ka sjellë frenim të vjedhjeve.

“Padiskutim që një hajdut apo një keqbërës stepet ose e mendon mirë kur shikon një kamera sigurie. Kamera ka efekt ju pëlqen apo nuk ju pëlqen shtetasve që ankohen. Disa vite më parë, një organizatë e kundërshtoi me forcë instalimin e kamerave të sigurisë si cënim të të drejtave, por realisht përpara lirive individuale më e rëndësishme është garantimi i rendit dhe sigurisë publike” përgjijet zyrtari i policisë.

Por edhe me kamera..

Por a të bën më të sigurtë një kamera sigurie? Zbulimi i vrasësit të Behar Sofisë vetëm duke vëzhguar dhjetra kamera sigurie është një përgjigjje. Por A.B një pronar lokali i kishte vendosur kamerat pikërisht për të mbajtur larg hajdutët e megjithatë nuk ia arriti dot. Sidoqoftë mbasi mbërriti në biznes dhe pa që i kishin vjedhur dhe dritaret e lokalit, ai hodhi sytë nga kamerat dhe me pas pamjet filmike të sigurisë ia la mbi tryezë policisë. Rezultati ishte arrestimi i një 44 vjeçari i divorcuar dhe i dënuar edhe herë tjetër për vjedhje. Por ndonëse nga pamjet nuk përfitohen të dhëna me interes, një dëshmitar që i bleu dritaret ishte çelësi kyç i zgjidhjes së hetimit.

“Kur lokali u prish dritaret që kushtonin gati 10 mijë euro ja lamë në ruajtje mikut tonë, derisa të përfundonte pandemia sepse nuk kishim mundësi transporti” shprehet denoncuesi.

“Shkuam tek magazina dhe pashë që dritaret i kishin marrë. Mora kamerat e sigurisë, kurse vetratat e duraluminit i kërkova dhe i gjeta në një pikë skrapi disi larg magazinës” pohon i dëmtuari.

Për agjentët, veprimi i radhës ishte pyetje e pronarit të pikës së skrapit që insiston se në biznes i kishin ardhur dy persona që i bënë ofertën.

“Kemi disa vetrata. Unë u kërkova kartat e identitetit dhe pastaj i bleva rreth 15 mijë lekë dhe ishin rreth 100 kilogramë. Këto fotokopje të kartave të identitetit të tyre ua vendos në dispozicion se cilët janë këta shtetas” tregohet i gatshëm biznesmeni i skrapit.

Kur policia ka shkuar në banesën e njërit prej tyre që më pas përfundoi në pranga ai nuk e ka zgjatur shumë, por është treguar bashkëpunues.

L.D sipas burimeve policore të Gazetasi.al detajon se i gjeti vetratat jashtë një magazine. “Mbasi pashë që nuk kishte njeri që i ruante apo që nuk kishte njeri që ta pyesja, kam menduar se nuk i hynin kujt në punë ndaj dhe i mora. Por kjo dëshmi nuk e shpëtoi hajdutin nga arrestimi i cili nuk u zbulua nga kamerat, por nga një gabim trashanik sepse kishte lënë me vullnet të plotë kartën e identitetit”. /SI

Shtuar 10.04.2021 02:04