Uzuni ndalet vetëm me dhunë, sulmuesi përsëri vendimtar në Champions (VIDEO)

Myrto Uzuni është kthyer në yllin e skuadrës së Ferencvarosh dhe tashmë për këtë nuk ka më asnjë pikë dyshimi. Sulmuesi shqiptar po shkëlqen edhe në këtë edicion, sidomos në Ligën e Kampioneve, ku paraqitjet e tij po shtyjnë në çdo ndeshje klubin hungarez drejt fazës në grupe të turneut.

Sot, Ferencvarosh ka marrë një fitore të rëndësishme 2-0 në shtëpi ndaj Slavias së Pragës në turin e tretë të turneut, duke hedhur një hap të sigurt drejt kalimit në play-off. Meritë për këtë ka padyshim edhe Uzuni, ndonëse nuk shkroi emrin e tij në listën e golashënuesve. Ai ishte vendimtar me lojën ofensive e sidomos duke fituar penalltinë që çoi rezultatin në 2-0.

Kur regjistrohej minuta e 50 e ndeshjes, Kasharaba i Slavias, i cili kishte shënuar autogol në pjesën e parë, nuk gjeti mënyrë tjetër për të ndalur Uzunin përveçse duke shkaktuar faull ndaj tij në zonë. Gjyqtari Gil Manzano nuk kishte dyshime dhe bëri shenjë nga pika e bardhë për penallti, të cilën e transformoi saktësisht Kharatin.

Kështu, falë edhe Uzunit skuadra e Ferencvarosh shkon me një avantazh të rëndësishëm në ndeshjen e dytë, për të synuar play-off të Ligës së Kampioneve e siguruar të paktën praninë në fazën në grupe të Ligës së Europës./panorama


Shtuar 4.08.2021 22:40