Dimri është stina që na bën të prirur ndaj ftohjes.
Ajo që duhet të dimë është se ushqimi i duhur luan një rol të rëndësishëm në shërimin nga një ftohje apo ndonjë virus tjetër.
Nga dieta varet në një masë të madhe se kur do të shërohemi dhe do të jemi në gjendje t’i rikthehemi aktiviteteve të përditshme. Ndonjëherë, në fakt, viruset na pushtojnë dhe nuk mund të konsumojmë sasi të mjaftueshme të ushqimit, duke sjellë si pasojë dobësimin e mëtejshëm të organizmit.
Fillimisht duhet të shmangim yndyrnat e larta, veçanërisht ato të ngopura, pasi ato prishin ekuilibrin e baktereve të mira dhe të këqija në trup. Fibrat, vitaminat (kryesisht A dhe C) dhe antioksidantët janë të dobishëm në trajtimin e ftohjes dhe gripit. Supa me perime është “ilaçi” ideal në këtë rast, pasi perimet japin fibra dhe antioksidantë, ndërsa lëngu i nxehtë ndihmon në prishjen e mukusit.
Përveç kësaj, hidratimi adekuat është më i rëndësishëm se ushqimi kur kemi të bëjmë me një ftohje ose grip. Sidomos kur virusi shoqërohet me temperaturë (pothuajse gjithmonë për shkak të gripit), kërkohet marrja e elektroliteve. /albeu.com