Ura Vajgurore ndryshon emrin, mësoni si quhet nga dita e sotme

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka dekretuar sot ndryshimin e emërtimit të njësisë së qeverisjes vendore nga “Bashkia Ura Vajgurore” në “Bashkia Dimal”.

Ndryshimi i emrit në Dimal ka qenë një ide e hershme, e cila mori formë, kur Kryetarja e Bashkisë, Juliana Memaj ngriti një grup pune për rijetëzimin e qytetit antik të përbërë nga arkeologë, gazetarë, regjisorë, intelektualë dhe banorë të zonës.

Emërtimi i ri që i sjell identitet zonës, është një hap që vjen në përputhje me interesat ekonomikë e socialë, traditën, kulturën, lidhjet tradiçionale dhe vlerat e tjera vendore, të kësaj bashkie. Ky ligj materializon vullnetin e popullsisë së zonës, pas një procesi të gjerë konsultimi me banorët e kësaj bashkie.

Gjashtë vitet e fundit Bashkia Dimal ka njohur një sërë investimesh, ku një nga më madhorët ka qenë dhe rijetëzimi i qendrës së qytetit duke e kthyer atë në një atraksion turistik.  Pas përurimit të statujës “Djaloshi i Dimalit” në Urën Vajgurore, simbol ky i këtij qyteti,  u bë i mundur dhe rehabilitimi i qendrës së qytetit. Muralet e artistëve të njohur vendas por dhe nga bota i kanë dhënë ngjyra qytezës së vogël duke rritur numrin e turistëve të huaj dhe duke hapur një perspektivë të re zhvillimi.

Ndërkaq, një nga projektet e kryebashkiakes Memaj është dhe krijimi i shtigjeve natyrore, vendosja e tabelave orientuese përgjatë rrugëve që të çojnë në qytetin e lashtë. Gjithashtu është projektuar krijimi i një qendre pritëse dhe ngritja e një muzeu për mbledhjen e të gjithë artifakteve të ndryshme që flasin për këtë qytetërim të vjetër antik ilir.

Shtuar 1.04.2021 04:04