Sa vota i ka të sigurta Vjosa Osmani për t’u bërë presidente?

67 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kishin votuar pro formimit të qeverisë Kurti, shkruan Gazeta Blic.

Të gjithë këta pritet të votojnë për zgjedhjen e Vjosa Osmanit – presidente.

Mirëpo, për dallim në momentin e formimit të qeverisë, për ta zgjedhur presidentin e ri, është rregull kushtetues që në votim të marrin pjesë minimalisht 80 deputetë.

Si do të mund të arrihet ky numër i nevojshëm i deputetëve për të qëndruan në sallë.

Deri më tani, PDK dhe AAK, kanë dalur me qëndrime publike se deputetët e këtyre partive nuk do të jenë në sallë, në momentin kur të hedhet në votim zgjedhja e Vjosa Osmanit, në postin e presidentit.

Përjashtim këtu ka bërë LDK, ani pse kjo e fundit, sikurse PDK dhe AAK, janë pjesë e opozitës.

Por, ani pse LDK aktualisht i posedon 15 deputetë, tre prej tyre, mund të mos ia mundësojnë kuorimin Vjosa Osmanit për të marrë postin e presidentit.

Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, përflitet që do e bojkotojnë seancën, përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, për të marrë pjesë në të.

Këtë e konfirmoi të enjten për Gazeta Blic, edhe nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri

“LDK ka zbardhë rolin në zgjedhje. Tash ju mbetet tjerëve obligimi. 3 deputet e LDK që kanë dilema është çështje e tyre, por GP LDK ka qëndrimin unike si pasojë edhe e vendimit të Kryesisë së LDK-së”, ka thënë Lutfi Haziri për Gazeta Blic.

Në rast se koalicioni qeverisës i posedon vetëm 67 vota, dhe tre deputetë nga 15 në total të LDK-së nuk marrin pjesë në votim, atëherë mund të mos arrihet zgjedhja e Vjosa Osmanit në postin e të parës së presidencës.

79 vota do ishin në total, në rast se Veliu, Hoti dhe Selmanaj, do e bojkotonin seancën e zgjedhjes së presidentit.

Por, për dallim nga vendimi i partisë, Xhavit Haliti i PDK-së, ka lënë të hapur mundësinë që të qëndrojë në sallë për ta mundësuar zgjedhjen e presidentit.

Madje, të mërkurën në një deklaratë dhënë për Gazeta Blic, Haliti theksoi se të gjithë deputetët duhet të qëndrojnë në sallë, pasi që siç thotë ai: populli e ka votuar Vjosa Osmanin për këtë post, përkundër dallimeve që ai i ka me të.

Javën e ardhshme, pritet të thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, për ta zgjedhur të parin e shtetit.

Shtuar 1.04.2021 04:04