“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, kam qenë vetë i rrezikuar”, zbardhet dëshmia e Naim Murselit para gjykatës

Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”, kështu ka deklaruar para gjykatës Naim Murseli, i akuzuar si organizatr për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj.

Murseli ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në vrasjen e bashkshortes së tij Liridona Ademaj.

Madje edhe avokati i tij Ahmet Ahmeti ka thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.

I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”, ka thënë avokati Ahmeti.

Avokati kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë, apo të caktojë një masë alternative. Vendimi për caktimin e paraburgimit është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar ditën e sotme masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, lidhur me dyshimet për vrasjen e Liridona Ademaj.


Shtuar 3.12.2023 17:24