Ulet papunësia/ Të rinjtë nuk e gjejnë veten në tregun e punës

Pas pandemisë Covid-19, treguesit e punësimit të të rinjve janë përkeqësuar më tej, teksa në krahun tjetër sektorët e ekonomisë janë në emergjencë për punonjës.

Të dhënat e INSTAT referojnë se në tremujorin e tretë të këtij viti 74,507 të rinj të moshës 15-29 vjeç ishin të papunë me një shtesë 5300 persona që nga e njëjta periudhë e vitit 2022.

Në qershor-shtator 2023, papunësia ndër të rinj ishte në nivelin më të lartë që nga tremujori i parë i vitit 2021, kur ekonomia po përjetonte një valë të fortë të pandemisë, Covid-19. Treguesi i papunësisë tek të rinjtë është sinjal negativ në një kohë që kjo grup-moshe është gjithnjë e në tkurrje nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022 është rritur me 1,6 pikë përqindje.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,6 për qind. Sakaq, shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 7,6%. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindja.

Rritja e papunësisë tek të rinjtë në një kohë që totali i tyre është në rënie, po tregon se tregu i punës ka problematika tek të rinjtë. Sektori i forex all që ishte një punëdhënës i madh i të rinjve të arsimuar po kalon një periudhë nga hetimet ndërkombëtare që kanë çuar në mbylljen e shumë kompanive. Në anën tjetër oferta për punë e bizneseve shqiptare shpesh nuk preferohet nga të rinjtë.

Modeli ekonomik i bazuar në krahun e lirë të punës, nuk preferohet nga brezi i ri të cilët e shohin më leverdi emigrimin sesa të nisin punë në një fabrikë fasoni ose në një kompani ndërtimi.

Tregu i punës në vendin tonë gjithnjë ka vuajtur nga një hendek ndërmjet ofertës dhe kërkesës për punës. Oferta për punë dominohet nga profesionet elementare që nuk kërkojnë aftësi, teksa punëkërkuesit shpesh janë më arsim të lartë.

Por arsimi nga ana tjetër nuk i përmbush kërkesat e bizneseve për aftësi. Në vijimësi bizneset ankohen se, profesionistet që prodhon sistemi arsimor nuk janë të aftë dhe shpesh duhet kohë dhe investime shtesë për formimin e tyre./Monitor


Shtuar 13.12.2023 07:59