UEFA do të marrë masa të rrepta për ekipet e Superligës

UEFA po përgatitet të marrë masa të rrepta disiplinore kundër ekipeve të Super Leagues, por është afër përfundimit të marrëveshjeve me ato që u larguan, përfshirë Interin, shkruan mediumi “ESPN”.

Është raportuar se në 10-të ditët e fundit ka pasur bisedime me 12-të ekipe, por priten dënime më të lehta për ato skuadra të cilat janë larguar nga projekti i Super Leagues përfundimisht. ESPN-ja bën të ditur se Arsenali, Atletico Madridi, Chelsea, Liverpooli, Manchester City, Manchester Unitedi dhe Tottenham Hotspuri, tashmë kanë arritur marrëveshje “mirëkuptimi” me UEFA-n.

Interi besohet se është afër mbylljes së kësaj marrëveshjeje, pasi ishte skuadra e parë italiane që u largua nga kjo nismë. Kjo gjë e lë të vetëm Juventusin, Milanin, Real Madridin dhe Barcelonën, ndërsa mbetet të shihet se cili do të jetë hapi i radhës i UEFA-s. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, edhe gjatë ditës së mërkurë, ka bërë thirrje për të gjitha ekipet që të tërhiqen. Një gjë të tillë e ka thënë për mediumin francez “L’Equipe”. “Duhet të shmangim bisedimet për luftë kur flasim për futbollin. Bota është duke vuajtur nga pandemia. Disa lëvizje duhet të kenë pasoja dhe të gjithë duhet të marrin përgjegjësi, por gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për sanksione. Dënimi i klubeve do të thotë dënim edhe për lojtarët, trajnerët dhe tifozët, të cilët të gjithë së bashku, nuk kanë pasur gisht në këtë gjë”, ka thënë Infantino, presidenti i shtëpisë së futbollit botëror, FIFA.


Shtuar 5.05.2021 22:08