Universiteti Bujqësor i Tiranës, në partneritet me Universitetin BOKU të Vjenës, kanë lidhur një marrëveshje bashkëpunimi 4-vjeçar, ndërsa i pranishëm në ceremoni ishte dhe kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, gjatë fjalës së tij risolli në vëmendje transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, sipas standardeve europiane.
“Ky është një moment realisht historik për Universitetin tuaj dhe një nga momentet jo të shpeshta kur marrja me politikë që ka gjithë ato siklete dhe rëndon, të bën të mendosh se; ç’mu desh kjo punë. Kjo të jep një sadisfaksion që të gjitha të tjerat i bën hallall. Para tre vitesh kishit një situatë jo të lehtë me rekrutimet e studentëve. Rektori erdhi me një propozim të qartë për ministrinë e Arsimit, ku kërkoi mbështetje për të ulur mesataren për Universitetin Bujqësor. Isha kundër kësaj për shkak se studentët po tregonin më pak interes. Këtu i binte që të uleshin nxënës që do të kishin nevojë për kurs këndimi dhe shkrimi.
Unë thashë që duhet ta kthenim këtë universitet në destinacion, duke e ndërkombëtarizuar dhe bashkuar me një universitet ekselence në Europë me synimin që UTB të jetë një universitet që; ti je në Tiranë, por merr gjithçka që do të merrje dhe po të ishe në Vjenë. Rektori nuk kishte si të më besonte se nuk ia lejonte dhe partia. Ne u bëmë bashkë dhe ju e dini se ky është një proces që ka nisur më parë. Ky nuk është një program i qeverisë për të mbajtur me hatër një rektor demokrat. Austria nuk ka dashuri me shikim të parë, por të shohin, të masin, nga para nga pas, kontrollojnë, shohin nusen apo shtëpinë apo dhe krushqit. Mos t’i cysim, që të mendojnë për divorcin”, tha ai.