U vranë pas sherrit të fëmijëve, përcillen për në banesën e fundit dy viktimat e Roskovecit

Këtë të mërkurë, u jepet lamtumira e fundit dy viktimave, Lavdimir dhe Gramos Kurtaj, që u ekzekutuan me breshëri plumbash nga bashkëfshatari i tyre, Altin Kukaj.

Krimi i dyfishtë ndodhi mesditën e djeshme (10 Shtator), rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan të Roskovecit.

Përcjellja për në banesën e fundit të dy vëllezërve, do të bëhet në orën 15:00 më Roskovec.

Burime bëjnë me dije se dy viktimat janë vëllezër gjaku, por jo vëllezër në gjendjen civile, kjo ka sjellë dhe keqkuptimet, të cilët fillimisht Policia i raportoi si xhaxha dhe nip.

Nga deklarimet e bashëfshatarëve të tyre mësohet se babai i viktimave, prind i 8 fëmijëve, një prej djemve ia kishte dhënë për ta birësuar vëllait të tij, i cili nuk kishte fëmijë, por Lavdimir dhe Gramos Kurtaj janë vëllezër gjaku.

Si ndodhi krimi i dyfishtë

Një sherr fëmijësh, një konflikt banal dhe dy të vrarë me breshëri kallashnikovi. Kjo është panorama e një ngjarjeje të trishtë që tronditi mesditën e martës nga fshati Kurjan i Roskovecit, ku 50-vjeçari ka qëlluar pa mëshirë mbi dy vëllezër, miq dhe shokë të tijtë, njerëz me të cilët ndante kafenë e çdo dite.

Ata që i njohin e dinë, ndërkohë edhe pse kanë kaluar disa orë nga ajo masakër, askush nuk di të thotë se si ia arriti ta kryente Altin Kuka, i cili tej të tjerash, thuhet se ndante të njëjtin fat jete me njërin nga viktimat.

Autori është vënë në pranga, pasi është vetëdorëzuar, me të janë shoqëruar edhe dy fëmijët e tij, njëri prej të cilëve thuhet se ishte përfshirë në sherr me djalin e njërit prej viktimave.

Dy vëllezërit, njëri 52-vjeç dhe tjetri 46-vjeç, kanë qenë duke pirë kafen e drekës në lokalin në pronësi të tyre, kur në derë ka mbërritur Altini i armatosur.

Ende nuk dihet se cili ka qenë dialogu që kanë bërë shokët për çështjen e ngatërresës së fëmijëve një ditë më parë, por ajo çka ka mbyllur historinë e trishtë është fakti që Altini u mori jetën me breshëri kallashnikovi.


Shtuar 11.09.2024 10:55