Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka cilësuar shpifje të ulëta lajme të përhapura nga mediat, se ai mund të jetë kandidat për President të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë një reagimi në “Facebook”, Haradinaj shkruan se disa media të shitura përhapin lajme të rreme kundër Shqipërisë, Kosovës dhe vetë atij.
“Nuk jam kandidat për president të Shqipërisë.
Po e shoh që po bëhet fushatë nga gazetarët e shitur, nga mercenarët e mediave, në Tiranë e në Prishtinë, sikur unë qenkam në kombinim për President të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një shpifje ordinere, e ulët, e pistë dhe për hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje.
Për popullin tim të dashur shqiptar, unë jam në Kosovë, do të jem në Kosovë dhe edhe politikisht do të realizohem në Kosovë. Shqipëria i ka njerëzit e saj, që di t’i vendosë në krye të shtetit. Me Kosovën e Shqipërinë e kundër matrapazëve mediatikë e të opinionit publik!”, shkruan ai./albeu.com