Një oficer policie amerikan është shkarkuar, pasi tha se jeta e një studenteje indiane kishte “vlerë të kufizuar” pasi ajo vdiq vitin e kaluar.
Departamenti i Policisë së Seattle, tha se komentet e oficerit Daniel Auderer për vdekjen e Jaahnavi Kandula ishin “të neveritshme” dhe të pashpirta”, raportoi The Seattle Times.
Kandula, 23-vjeç, u godit për vdekje në janar nga një automjet tjetër policie, ndërsa po kalonte një rrugë pranë Universitetit të saj.
Daniel Auderer,i cili po i përgjigjej incidentit u regjistrua duke qeshur dhe duke thënë se ajo ishte një “person i rregullt” dhe qyteti duhet “thjesht të shkruajë një çek”.
Pamjet janë kapur në kamerën e trupit të tij, teksa ai i kishte bërë një telefonatë një kolegu të tij.
“Por ajo ka vdekur”, u dëgjua të thoshte oficeri para se të qeshte. “Jo, është një person i rregullt. Po, thjesht shkruaj një çek”, tha ai, përpara se të qeshte përsëri.
“Njëmbëdhjetë mijë dollarë. Ajo ishte 26-vjeçe, gjithsesi. Ajo kishte vlerë të kufizuar“, shtoi ai.
Videoja është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar zemërim në internet. Të mërkurën, shefi i përkohshëm i Departamentit të Policisë së Seattle, Sue Rahr njoftoi përfundimin e policit përmes një emaili në të gjithë departamentin. Veprimet e tij kishin sjellë turp për të gjithë departamentin dhe profesionin e policisë, ka shkruar ajo.
Shefi i përkohshëm Rahr shtoi se “e qeshura e tij mizore dhe e pashpirt” dhe dhimbja që ajo i kishte shkaktuar familjes së Kandulas, nuk mund të tejkalonte reputacionin e mirë të Daniel Auderer midis kolegëve të tij dhe vitet e tij të shërbimit ndaj komunitetit.
“Për mua që të lejoj oficerin të qëndrojë në forcën tonë do të sillte vetëm çnderim të mëtejshëm për të gjithë departamentin. Për këtë arsye, unë do t’i jap fund punësimit të tij”, tha ajo.
Daniel Audered, ishte vënë nën hetim pas incidentit. Zyra e Përgjegjshmërisë së Policisë – agjencia që heton sjelljen e keqe të policisë – kishte rekomanduar përfundimin e tij për sjellje joprofesionale dhe shfaqje të njëanshmërisë në deklaratat e regjistruara, raportoi Seattle Times.
Jaahnavi Kandula, ishte një studente e diplomuar në Universitetin Northeastern në Seattle. Oficeri që e përplasi me automjetin e tij të patrullës, ishte duke ecur me shpejtësi 119 km/h dhe ajo u hodh më shumë se 30 metra, thanë mediat amerikane.