Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjn e djeshme në Korçë, ku mbeti i plagosur Romeo Berberi. Ngjarja ndodhi në Xhaminë e Re në lagjen 16 rreth orës 20:20.
Romeo Berberi ka thënë në dëshmi se nuk ka konflikte me askënd. E për shkak të errësirës nuk mundi të shohë autorin.
Në vendin e ngjarjes pak metër larg lokalit ku u plagos 53-vjeçari janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja të cilat janë qitur nga një armë e tipit pistoletë.
Dyshohet që autori të ketë qëlluar disa herë në drejtim të lokalit, ndërsa një plumb rikoshet ka goditur në këmbë 53-vjeçarin i cili ka tentuar të largohet pas të shtënave të para.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se objektivi i sulmit me armë dyshohet të mos jetë Berberi, ndërsa po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse autori ka dashur të paralajmërojë një tjetër person, që mund të ketë qenë i pranishëm në momentin kur ndodhi ngjarja.
Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje veç të plagosurit edhe disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por deri tani nuk ka mundur të nxjerrë informacione të vlefshme, që do bënin të mundur identifikimin e autorit dhe motivin e ngjarjes.
Policia ka sekuestruar dhe po eksperton pamjet filmike të kamerave të disa bizneseve që pozicionohen përgjatë rrugës kryesore, për të zbuluar nëse autori ka lëvizur pas ngjarjes në këmbë apo me mjet./albeu.com