U plagos duke tentuar të shuante sherrin mes babait dhe vajzës, 35-vjeçari dërgohet te Trauma në gjendje të rëndë

Mbrëmjen e djeshme, 35-vjeçari Onard Memlika, i cili mbeti i plagosur me thikë paraditen e së hënës në Durrës, nga 56-vjeçari Mikel Ndoj, është dërguar tek spitali i Traumës në Tiranë.

Sipas familjarëve të tij, ai është në gjendje të rëndë dhe ndodhet aktualisht në reanimacionin e spitalit të Traumës.

Sipas të njëjtave burime, 35-vjeçarit, nga plagosja me thikë, i është dëmtuar trakeja dhe për pasojë kishte hyrje ajri në mushkëri.

Mësohet se kjo e ka rënduar gjendjen e tij dhe është dërguar mbrëmë nga spitali i Durrësit drejt atij të Traumës, ku duket se e ka kaluar rrezikun për jetën, Gjendja e tij shëndetësore po mbahet nën monitorim nga mjekët e Traumës.

I riu mbeti i plagosur pasi ndërhyri në sherrin mes 56–vjeçarit Mikel Ndoj dhe vajzës së tij 24-vjeçare, e cila po ashtu mbeti e plagosur.

Ai ishte vetëm një kalimtar i rastësishëm që u përpoq të shuante sherrin, por fatkeqësisht mbeti vetë i plagosur.

Në njoftimin për shtyp, policia e Durrësit bëri të ditur të hënën, se të dy të plagosurit ishin në spitalin rajonal, jashtë rrezikut për jetën, por duket se me kalimin e ditëve gjendja e 35-vjeçarit është përkeqësuar.

Një ditë më parë, Mikel Ndoj, 56-vjeçari që plagosi me thikë të bijën Xhensila Ndoj dhe një kalimtar të rastit, u la në burg nga gjykata e Durrësit.

Në sallën e gjyqit, Ndoj nuk ka shfaqur asnjë lloj pendese për krimin e kryer, madje është shfaqur mohues ndaj ngjarjes. Mësohet se ai ka kërkuar lirimin, duke e konsideruar veten të pafajshëm.


Shtuar 29.01.2026 13:40