U përfol si kandidate për Bashkinë e Tiranës, Edlira Çepani: Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve nuk ishte normal, partitë të hapen drejt intelektualëve

Ditën e sotme, juristja dhe aktivistja Edlira Çepani, teksa ishte e ftuar në News24, ka komentuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar Bashkie në Tiranë, duke vlerësuar si hap pozitiv faktin që, për herë të parë, janë propozuar emra jashtë skemave politike tradicionale.

Ajo shtoi se kjo duhet të shërbejë si mesazh për politikën, që të hapet më shumë drejt intelektualëve dhe profesionistëve që kanë dëshirë dhe kapacitete për të kontribuar në jetën publike.

“Nuk pati një procedurë përzgjedhjeje normale. Pra ishte një procedurë që nuk ishte përzgjedhje, ishin disa emra që u hodhën nëpër të. Ne si juristë kemi nevojë për rregulla të qarta se kush na voton, propozon dhe kush e zgjedh emrin. Por, për mendimin tim, kjo solli një risi pozitive, u lakuan emra që nuk vinin nga politika. Ky ishte një sinjal se ka njerëz përtej partive që qytetarët duan t’i shohin në pozicione kyçe”, deklaroi Çepani.

Më tej ajo tha se; “dinamikat po tregojnë që partitë politike të hapen më shumë, por edhe njerëzit kanë filluar të kërkojnë ndryshimin e ujërave”.

E pyetur nëse do ta kishte pranuar një ofertë për kandidim, Çepani u shpreh:

“Do ta kisha menduar seriozisht. Pastaj do të varej nga marrëveshjet, angazhimi në fushatë, etj. Ajo që më pëlqeu nuk kishte të bënte me individin, por me faktin që iu dha njerëzve mundësia të kishin një angazhim konkret”.

Gjithashtu, Çepani tha se nëse bashkëshorti i saj, Gert Bogdani do të ishte gjallë, do ta kishte inkurajuar nëse do të duhej të garonte për kryetare të Bashkisë së Tiranës.


Shtuar 21.10.2025 15:22