U mbytën në Kanalin Anglez, autoritetet franceze identifikojnë 26 viktimat

Autoritetet franceze kanë identifikuar zyrtarisht 26 nga 27 trupat e gjetur pas mbytjes masive të muajit të kaluar në Kanalin Anglez.

Hetuesit konfirmuan identitetin e 16 kurdëve të Irakut, duke përfshirë katër gra, një adoleshente 16-vjeçare dhe një vajzë 7-vjeçare. Mes viktimave ishte edhe një kurd iranian, tre etiopianë, duke përfshirë dy gra, një grua somaleze, katër burra afganë dhe një egjiptian, thuhet në deklaratë. Të rriturit varionin nga mosha 19 deri në 46 vjeç.

Kujtojmë se varka e tyre u përmbys më 24 nëntor në brigjet e Francës veriore, në atë që ministri i brendshëm i vendit e quajti tragjedinë më të madhe të migracionit në vendkalimin e rrezikshëm për në Britani deri më sot.

Një numër gjithnjë në rritje i njerëzve që ikin nga konfliktet ose varfëria në Afganistan, Sudan, Irak, Eritre apo gjetkë po rrezikojnë në udhëtimin nga Franca, duke shpresuar të fitojnë azil ose të gjejnë mundësi më të mira në Britani.

Kalimet janë trefishuar këtë vit krahasuar me 2020./albeu.com


Shtuar 14.12.2021 19:24