Florjan Binaj ka reaguar, pasi u mbështet nga forcat opozitare për kandidimin e tij për kryetar të Bashkisë Tiranë. Me anë të postimi në rrjetet sociale, Binaj ka falënderuar Partinë Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje për mbështetjen ndaj kandidaturës së tij të pavarur. Gjithashtu Binaj shprehet se është i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare. Ndër të tjera Binaj ka theksuar se nuk është politikan, por qytetar dhe partia e tij janë qytetarët.
Reagimi i Florjan Binajt:
Falenderoj për mbështetjen që i dha kandidimit tim si kandidat i pavarur Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje. Mbetem i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare. Dëshiroj mbi të gjitha të falenderoj me mijëra qytetarë të Tiranës, të cilët më kanë inkurajuar këto ditë.
Kjo garë është për ju! Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni JU! Deri më sot kam luftuar padrejtësinë dhe të keqen me humorin dhe artin tim, sot ju ftoj ta luftojmë me votë.
Të dënojmë ata që na vodhën dhe bënë humor me ne! Ju ftoj të bëjmë bashkë mendjet dhe zemrat kundër pushtetit që po dhunon jetët dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!