Në katër komunat në veri të Kosovës, sot ka filluar nënshkrimi i kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë dhe serbëve që kanë braktisur institucionet e Kosovës. Kështu ka njoftuar Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes së cilës po bëhet lidhja e kontratave. Sipas njoftimit, me këto kontrata, serbët që i kanë braktisur institucionet “do t’i rregullojnë të gjitha obligimet juridike nga marrëdhëniet e punës, ato pensionale, sigurimet shëndetësore etj.
Në komunikatë nuk është shpjeguar se në cilat institucione serbe do të angazhohen, por se ata do t’i kenë nga shteti i Serbisë të gjitha të ardhurat që kanë marrë nga institucionet e Kosovës. Shtohet se pagesat e para do të dalin në llogaritë e punëtorëve në dhjetor.
“Në këtë mënyrë po përmbushet premtimi i dhënë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë e Metohi, të cilët kanë dalë nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit”, thuhet në komunikatë.
Institucionet e Kosovës nuk e kanë dhënë numrin e saktë të serbëve të dorëhequr, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se numri i tyre është rreth 3.500. Ai ka thënë se “përkujdesja” ndaj serbëve të dorëhequr do t’i kushtojë Serbisë 50 deri në 60 milionë euro. Rikujtojmë se nga java e parë e nëntorit, qindra serbë të Kosovës janë dorëhequr nga institucionet e Kosovës përfshirë Policinë, Gjykatën, Prokurorinë si dhe institucionet lokale e qendrore.
Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në veri të vendit, të cilat Kosova i konsideron të jashtëligjshme. Nga 21 nëntori, Qeveria e Kosovës pritet që të nisë shqiptimin e gjobave për ata që ende nuk e kanë bërë këtë riregjistrim./REL