EMRAT/ U kapën me 20 kg kanabis në bagazh, dy të arrestuar në Mirditë

Policia ka vënë në pranga dy shtetas në Mirditë, pasi gjatë një kontrolli në makinë u janë gjetur 20 kg kanabis.

Të arrestuarit janë  Odison Jaku dhe Roland Papa.

Njoftimi i policisë:

Mirditë, Lezhë

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni policor i koduar “ Rrenja e Zezë ”, i zhvilluar nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë.

Sekuestrohen 20 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 1 automjet dhe  3 aparate celularë.

Vihen në pranga 2 shtetasit që posedonin lëndën narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se 2 shtetas që po qarkullonin me automjet dyshohej se po transportonin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe në fshatin Rrenja e Zezë, Mirditë, kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin O. J. dhe pasagjer shtetasin R. P., në bagazh janë gjetur dhe sekuestruar 20 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve O. J., 22 vjeç banues në Mirditë dhe R. P., 37 vjeç, banues në Lezhë.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim./albeu.com

Shtuar 13.07.2021 10:20