U dhunua e masakrua, Joy erdhi në muajin shkurt në Tiranë, punoi në kazino, sot dergjet në spital

Joyce Achieng Aoko, 22-vjeçarja nga Kenia që u dhunua në mënyrë makabre në Tiranë, mësohet se ka mbërritur në Shqipëri më datë 15 shkurt 2022. “Në shënjestër” ka publikuar pjesë nga dosja dhe thotë se nuk dihet se në ç’rrethana është bërë rekrutimi i saj në Shqipëri, por mësohet se fillimisht ajo ka punuar në një nga Kazinotë në ambientet e ish-Sheraton në Tiranë.

Aty, ku 22-vjeçarja punonte si krupiere, apo ndryshe, shpërndarëse letrash në tavolinat e kumarit. Disa muaj më vonë, Joy është zhvendosur në një tjetër kazino, këtë herë në ambientet e jashtme të stadiumit ‘Air Albania’, në kazino “Arena”. Aty, ku thuhet se punoi deri mbrëmjen e fundit, para se të gjendej e masakruar në hostelin ku jetonte, banesë të cilën ia kishte mundësuar punëdhënësi i saj.

Joy Aoko u gjet e dhunuar në orët e para të mëngjesit të 14 gushtit. Mikesha e saj hapi dritaren dhe poshtë hostelit ku jetonin pa një vajzë gjysmë të zhveshur e të shtrirë. Ajo zbriti menjëherë poshtë dhe zbuloi se bëhej fjalë për shoqen e saj dhe e dërgoi në spital. Joy ishte në koma dhe vetëm pak ditë më parë ka bërë reagimet e para. Policia deri më tani ka shpërndarë një ‘njoftim të thatë’ përmes të cilit deklaron se ngjarja është regjistruar si ‘plagosje e rëndë me dashje’. Autor e të dyshuar, nuk ka ende! Një prej tyre dyshohet të jetë shoferi i kazinosë ku punonte Joy, me të cilin e reja dyshohet të ketë pasur lidhje intime.


Shtuar 23.11.2022 20:09