19 marinarët që mbronin ishullin Zmiinyi (Gjarpërinjve) për të cilët fillimisht u tha se u vranë, u morën robër lufte. Një muaj pasi trupat ruse pushtuan, Parlamenti ukrainas konfirmoi se marinarët ishin liruar si pjesë e shkëmbimit të 11 marinarëve rusë të kapur nga një anije e fundosur.
Në një postim në Twitter, Parlamenti ukrainas shkroi: “Shkëmbimi i parë i pengjeve të luftës ndodhi me urdhër të Presidentit Zelensky. Sot Ukraina shkëmbeu 11 marinarë rusë që i shpëtuam nga një anije që po mbytej pranë Odesa-s me 19 marinarë ukrainas”. Marina e Ukrainës konfirmoi se ushtarët në ishull zmbrapsën dy sulme nga forcat ruse më 24 shkurt, por u detyruan të dorëzoheshin ‘për shkak të mungesës së municioneve’, raporton Daily Mail.
Ata gjithashtu thanë në deklaratë se forcat ruse shkatërruan infrastrukturën e ishullit të gjarpërinjve, duke përfshirë kullat dhe antenat. Një ditë pas sulmeve, një audio u shpërnda në internet në të cilin një oficer nga një anije ushtarake ruse mund të dëgjohej duke iu thënë rojeve ukrainase që të ‘ulnin armët menjëherë për të shmangur gjakderdhjen dhe vdekjet e pajustifikuara’, pasi në të kundërt do të bombardoheshin’.
Rojet më pas u dëgjuan duke folur mes tyre, ndërsa bërtisnin; “Ik p**** anija ruse”. Ukraina më vonë humbi kontaktin me forcat e saj që mbronin ishullin pasi Rusia kreu sulme nga ajri dhe deti. Por vetëm pak ditë më vonë qarkulloi lajmi se ushtarët ukrainas mund të ishin gjallë.