U akuzua se dekonspiroi operacionet e OFL, Gjykata rikthen pezullimin nga detyra të Artan Shkëmbit.
Gjykata dhe më parë kishte vendosur pezullim nga detyra për Shkëmbin, por ia hoqi se mbaroi afati.
Njoftimi i Gjykatës:
Në datë 21.07.2021, në Gjykatën e Apelit Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me caktimin e masës së sigurimit për personin nën hetim A.SH, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Zbulimi i akteve ose të dhënëvae sekrete” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 295/a dhe 259 të Kodit Penal. Shtetasi A.SH është punonjës policie dhe dyshohet për nxjerrje dhe dhënie informacioni personave të interesuar nga sistemi Deepsee.
Lidhur sa më sipër, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 459/4 Akti, datë 15.07.2021 ka vendosur:
-Përsëritjen e së sigurimit personal ndalues “Pezullimin e ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për personin nën hetim A.SH.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim A.SH.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 656 datë 28.07.2021 vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 459/4 Akti, datë 15.07.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.