Turqia rihap ambasadën e saj në Siri pas 12 vjetësh

Turqia ka rihapur ambasadën e saj në Siri, duke u bërë vendi i parë që ndërmerr këtë veprim që nga fundi i sundimit të Bashar al-Assadit fundjavën e kaluar.

Bëhet e ditur se disa nga kryengritësit sirianë që përmbysën al-Assadin kishin marrë mbështetje nga Turqia.

Marrëdhëniet diplomatike midis Sirisë dhe Turqisë ishin ndërprerë që nga viti 2012.

Ambasada pezulloi operacionet 12 vjet më parë për shkak të pasigurisë së shkaktuar gjatë luftës civile siriane, shkruan euronews.

Disa vende mbajtën lidhje diplomatike me qeverinë e Assadit gjatë konfliktit, i cili zgjati 13 vjet, ndërsa të tjera rihapën misionet e tyre diplomatike në vitet e fundit, duke kërkuar të normalizonin marrëdhëniet me regjimin.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan tha: “Ne duam të shohim një Siri pa terror, ku pakicat nuk keqtrajtohen. Ne duam një qeveri gjithëpërfshirëse në Siri”.

Ai tha gjithashtu se sirianët aktualisht në Turqi do të fillojnë të kthehen në shtëpi në numër më të madh pasi situata të stabilizohet më tej.

Ndryshe, rihapja e ambasadës ndodhi në të njëjtën ditë kur diplomatët e lartë të SHBA-së, Ligës Arabe dhe Turqisë u takuan në Jordani për të diskutuar se si të ndihmonin tranzicionin e Sirisë pas rënies së qeverisë së Assadit.

Asnjë përfaqësues sirian nuk mori pjesë në takime, megjithëse Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se zyrtarët amerikanë kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Hayat Tahrir al-Sham, grupi kryengritës sirian që udhëhoqi përmbysjen e qeverisë së Assadit.


Shtuar 14.12.2024 21:45