22 fëmijë nga grupi prej 41 turistësh polakë që u shtruan dje në spitalin e Vlorës me simptoma helmimi, kanë lënë sot urgjencën.
Gendja e tyre paraqitet e stabilizuar, teksa autoritetet ligjzbatuese kanë nisur të ndërmarrin veprimet e para ligjore për rastin në fjalë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar mbrëmjen e djeshme kontrolle në anijen që bën turin Karaburun-Sazan, me të cilën udhëtuan turistët e helmuar.
Kontrollet kanë zgjatur deri në orën 03:00 të mëngjesit, teksa ekspertët kanë marrë mostra të ushqimit që është konsumuar nga turistët për t’i dërguar për analizë të detajuar në laboratorët qendrorë në Tiranë.
Pritet që përgjigja e tyre të bëhet publike pas 3-4 ditësh, pasi do testohen për salmonela dhe të gjitha shkaqet e tjera që mund të shkaktojnë helmim.
Nëndërkohë, Drejtoria e Shëndetit Publik ka marrë mostra të feçeve të fëmijëve dhe personave në bord, të cilat po i analizon deri në një përfundim zyrtar për të përcaktuar shkakun nga ka ardhur helmimi.
Ndër të tjera mësohet se AKU ka vendosur të ndëshkojë me masë administrative gjobë, në masën 6 milion lekë të vjetra subjektin që operon anijen turistike në fjalë për shkak të “mosplotësimit të kushteve për përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimit”.