Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ngritur një padi për shpifje kundër CNN.
Trump ka kërkuar 475 milionë dollarë dëmshpërblim, në padinë e ngritur në gjykatën federale në Florida.
Ai pretendon se rrjeti amerikan i lajmeve ka përshkallëzuar kohët e fundit një fushatë shpifjeje kundër tij.
CNN është përpjekur të njollosë Trumpin “me një seri etiketimesh gjithnjë e më të ashpra, të rreme dhe shpifëse, duke përfshirë “racist”, “kryengritës” dhe së fundmi “Hitler”, sipas avokatëve të ish-presidentit.
Trump pretendoi se CNN kishte përdorur ndikimin e saj të konsiderueshëm si një organizatë kryesore e lajmeve për ta mposhtur atë politikisht.
Pas kësaj padie, CNN nuk pranoi të komentojë mbi rastin, shkruan ‘The Guardian’.
Padia vjen pasi ish-presidenti 76-vjeçar përballet me probleme të konsiderueshme ligjore , duke përfshirë një hetim penal nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) për ruajtjen e të dhënave qeveritare në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida pas largimit nga detyra në janar 2021.