Tritoli në banesën e Dukës, Avokati “nxjerr zbuluar” Policinë: Lirojeni menjëherë klientin tim të pafajshëm, kemi pamje filmike

Pas vendosjes së tritolit në portën e banesës së kreut të FSHF-së Armando Duka, policia pretendoi se kishte arrestuar autorin e vendosjes së lëndës shpërthyese.

Në pranga ra 34-vjeçari Arlen Hasanajn, I cili gjatë dëshmisë së tij përballë efektivëve të policisë nuk e pranoi autorësinë e krimit.

Gjithashtu avokati i 34-vjeçarit, Ilia Ilia është shprehur për mediat se Hasanaj, në momentin që ka ndodhur ngjarja në Durrës ka qenë ne një qendër tregtare duke kryer blerje. Sipas avokatit, prania e Arlenit në qendrën tregtare provohet nga faturat tatimore të prera ditën e ngjarjes si dhe pamjet filmike.

“Në datën dhe orën e caktuar, ai është ndodhur në vend tjetër. Ka qenë duke realizuar një sërë blerjesh në funksion të nevojave shtëpiake. Dhe ka ardhur në shtëpi dhe nuk ka dalë më.”

Sipas avokatit, Arlen Hasanaj është futur në qendrën tregtare në orën 20.30 ka dalë prej aty në orën 09.37. Kurse, vendosja e tritolit në shtëpinë e Dukës ka ndodhur në orën 22.04. Ai thotë se policia i ka marrë pamjet filmike, por vetëm ato të hyrjen në qendrën tregtare, jo të daljes dhe kjo sipas tij mund të jetë bërë enkas.

Sipas avokatit, klienti i tij është i pafajshëm dhe duhet të lirohet menjëherë pa u nxjerrë para gjykatës.

I riu nuk e ka pranuar autorësinë e krimit. Para grupit të hetuesve ai është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen që ka ndodhur në shtëpinë e Dukës, por nuk ka dhënë detaje të tjera në lidhje me akuzat.

Sipas informacioneve rezulton se Hasanaj nuk ka qenë asnjëherë person me precedentë të mëparshme penale./albeu.com/

 


Shtuar 27.01.2022 15:18