Tregu shqiptar punës nuk po shfaq fleksibilitet në punën me kohë të pjesshme.
INSTAT raportoi se në tremujorin e parë të vitit 2023 të punësuarit “part-time” zunë 5.4% të totalit të punësimit me pagë.
Në dy tremujorët e fundit treguesi shënoi rekordet me ulëta historike, që kur treguesi nisi të raportohej në vitin 2012. Punësimi “Part- time” po gjente përhapje, sidomos vitet e fundit për shkak të përparimit teknologjik që mundëson dhe lehtëson pjesëmarrjen në punë me kohë të pjesshme.
Në vitin 2022 në Bashkimin Europian punësimi me kohë të pjesshme zuri 15 për qind të totalit të punësimit dhe në disa vende të zhvilluara kjo kategori punësimi është 25%.
Shqipëria përveçse e ka të ulët përqindjen e punësimit me kohë të pjesshme ka gjithashtu edhe përkeqësim në raport me vetveten. Në tremujorin e parë 2022 punësimi par time zuri 6.4% të totalit të punësimit me pagë, ndërsa në vitin 2014, treguesi ishte 15 për qind i krahasueshëm me BE.
Pesha e punësimit part -time ra ndjeshëm gjatë pa vitit 2018, nxitur edhe nga zhvillimet demografike në vend. Emigrimi i lartë forcës së re të punës dhe zgjerimi i ofertës për punë në disa sektorë e kanë nxitur punësimin me kohë të plotë kundrejt punës me kohë të pjesshme.
Punësimi i ulët part- time është edhe një treguesit i modelit ekonomik të vendit, kur bizneset dhe ekonomia ende janë të bazuar në shfrytëzimin e krahut të lirë të punës.
Bizneset shqiptare në të gjithë sektorët po vuajnë mungesën e punonjëseve në të gjitha kategoritë e arsimit. Por teksa gjetja e punëtorëve është shndërruar në sfidë për vijimësinë e aktivitetit në shumë industri, bizneset janë duke përparuar me hapa të ngadalte në drejtim të burimeve njerëzore. Kodi i punës vijon të mos respektohet në të shumicën e aktiviteteve dhe nga ana tjetër pagat po gërryhen nga ritmet e larta të inflacionit.
Burimet njerëzore ende përllogariten si shpenzim në bilancet e kompanive teksa në vendet e përparuara janë themeli i kapitalit dhe lulëzimit në një biznes. Teksa shumë vende po aplikojnë javën e punës me katër ditë në Shqipëri ende nuk janë të zhvilluara instrumente të tregut të punës të tilla si puna në distancë dhe puna me kohë të pjesshme.
Disa kompani po tentojnë të sjellin praktika më të mira të menaxhimit të burimeve njerëzore, por në tërësi vendi qëndron poshtë standardeve ndërkombëtare.
Fleksibiliteti i ulët në tregun e punës dhe pagat e ulëta janë shkaktari kryesor i emigrimit te të rinjve dhe forcës së punës në tërësi sipas studimeve që kanë bërë demografët vitet e fundit./monitor