Festat po afrojnë, por edhe edhe tregtia e bagëtive në pazarin e gjësë së gjallë në Kukës ka nisur, por blerësit mungojnë.
Blegtorët thonë se nuk ka shitje, pavarësisht se e diela është ditë pazari.
“Nuk ka ecur, shumë dobët. Nuk kanë lekë njerëzit, s’ka treg. Shumë dobët”, thotë një blegtor.
“Ka interes por nuk kanë lekë njerëzit me ble”, pohon një tjetër tregtar.
Ndërsa blerësit shprehen se çmimet janë të papërballueshme, dhe se janë rritur shumë gjatë tre vitet e fundit.
“Ne po shohim pazarin, ka shkuar shumë shtrenjtë, katastrofë. Ka njerëz që vijnë shohin dhe nuk marrin gjë. Shumë shtrenjtë. Cjapi 200 mijë lekë, dhia 150 mijë lekë, shumë shtrenjtë, ka njerëz që janë me ndihmë ekonomike nuk i përballojnë”, thotë një qytetar.
Numri i krerëve të bagëtive në Kukës ka rënë ndjeshëm, kjo për shkak të emigrimit masiv, duke bërë që fuqia punëtore të jetë e moshës së tretë.
Zona e Kukësit shquhet për cilësinë e mishit, kullotat e pasura malore, me burime ujore, duke e bërë mishin e Kukësit më të kërkuarin në tregun shqiptar.