Kompanitë e autobusëve në Maqedoninë e Veriut po përpiqen t’i mbajnë çmimet e njëjta të biletave, por nuk e dinë edhe sa. Me ngritjen rapide të çmimit të derivateve, agjencitë e transportit ndër urban thonë se javën e fundit janë duke punuar me humbje.
Nga drejtoria e Stacionit të autobusëve në Shkup thonë se po vazhdoi ky trend do të ndodh kolaps i transportit publik. Drejtori Omer-Agiq tha se kjo goditje e përditshme e çmimeve do të bëj të pamundur vozitjen e makinave dhe ngarkesa e transportit do të bie mbi autobusët e linjave publike.
“Është jo humane që transportuesit të rritin sërish çmimin e biletave, ne do ta ndërmarrim këtë hap vetëm nëse rrezikohet puna dhe financat bëhen të paqëndrueshme. Meqë kemi shok të çmimit në këtë javë ne nuk kemi ndërmarr masa radikale dhe presim si të ecën situata dhe nëse do kemi ndonjë përgjigje reale”, tha Masar Omer Agiq, Drejtor i Stacionit të Autobusëve.
Nga Shoqata e Transportuesve të udhëtarëve thonë se qytetarët duhet të riorganizojnë udhëtimet e tyre me autobusë për nevojat e përditshme brenda apo edhe jashtë qytetit, andaj kërkojnë subvencione.
“Ne kemi dërguar kërkesë te Qeveria dhe Ministria përkatëse për ndihmë nga shteti. Presim të na thirrin në takim për t’i treguar problemet e transportuesve të udhëtarëve dhe të na japin propozim për zgjidhje”, thonë nga Shoqata e Transportuesve.
Nga Qeveria thonë se do të marrin në shqyrtim kërkesën e tyre, por nuk kanë paraparë diçka të tillë. Ende pa u bërë muaji i plotë, çmimi i biletave të linjave ndër-urbane u shtrenjtuan deri në 20% në të gjithë vendin.
Varësisht nga distanca nga 15 shkurti qytetarët kanë paguar nga 30-120 denarë më shumë. Prej atëherë derivatet janë rritur rreth 25 denarë për litër. Në 150 linjat e autobusëve që janë aktive aktualisht, sipas autoriteteve, çdo ditë udhëtojnë mbi 3,000 qytetarë nëpër gjithë vendin./ Alsat.mk