Babai i 39-vjeçares Alma Arrazi, e cila u vetëflijua bashkë me fëmijët duke u hedhur në lumin Buna, rrëfen se vajza e tij dhunohej psikologjikisht nga bashkëshorti, që e tradhtonte.
Në një intervistë për “Top News”, ai sqaroi se 39-vjeçarja nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor, ndërsa problemet në çift kanë nisur pasi janë kthyer nga Gjermania.
“Fjalët për probleme mendore nuk janë të vërteta, e deklaroj me përgjegjësinë time. Sikur të ishte e tillë, im shoq si e mori për grua. Edhe nëse s’e ka ditur në fillim, do e kuptonte më vonë. Si jetoi 10 vite dhe bëri 3 fëmijë me vajzën time, nëse vajza do ishte në atë gjendje që pretendojnë.
Nuk kam marrë ndonjëherë ilaçe depresioni për vajzën, unë kam qenë edhe në Gjermani kur ka qenë vajza me bashkëshortin atje. Kanë kaluar mirë. Pasi u kthyen, vajza shprehej se ai ka një të dashur, shkonte me të tjera, filloi të jepte shenjat e veta, derisa arriti në këtë gjendje. Më tha bashkëjeton me një gocë të re, fle në një dhomë më vete me tre fëmijët”.
Babai pretendon se i ka kërkuar vajzës të ndahet, por Alma nuk donte të largohej nga fëmijët.
“I thashë çfarë pret më, ka mbaruar çdo gjë. I jam lutur, lëre se ka mbaruar. Ai i tha nuk të dua, çfarë pret më. Ik. Më tha fëmijët nuk i le dot, nuk jetoj dot pa fëmijët. Ai nuk ia linte fëmijët. Pa fëmijë nuk rrinte dot, atë e donte jashtë mase. Aty ka marrë vendimin për të flijuar jetën e vet dhe të tre engjëjve.
Nuk më ka thënë për dhunë fizike, por dhunë psikologjike ka pasur që nga momenti kur ai ka nisur një lidhje jashtëmartesore. Ajo më thoshte nuk dua që fëmijët e mi nuk dua t’i gëzojë dikush tjetër, i kam bërë unë, do t’i rris unë. Ka qenë një nënë shembullore, e përkushtuar për fëmijët”.