Tragjedia e 9 janarit 2004, familjarët e viktimave sërish kallëzim në SPAK

Familjarët e viktimave që u mbytën në detin Jon më 9 janar 2004 në tentativë për të ikur jashtë vendit, kanë bërë sërish kallëzim në SPAK.

Ata i kërkojnë Prokurorisë se Posaçme të zbardhë ngjarjen, pasi përgjegjësit e vërtetë nuk janë gjykuar asnjëherë dhe pse Prokuroria e Vlorës kishte nisur hetimet.

Familjaret akuzojnë zyrtarët e kohës, mes tyre ish-ministrin e Brendshëm dhe Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të policisë.

Ata po protestojnë para SPAK dhe thonë se shteti i la të vdisnin.

“Ne jemi përfaqësues të shoqatës 9 Janari, Unë jam kryetari. Përfaqësojmë shoqatën e 30 familjeve, ku na kanë vdekur 30 fëmijët tanë afër bregut në Vlorë. Ata njerëz kanë qenë një grup i strukturuar kriminal, që përbëhet nga policia e Vlorës. Josif Shtëmbari e ka bërë analizën e asaj policie dhe e ka cilësuar ata 30 oficerë, si pjesëtarë të bandës. Ata i morën prej Shkodrës. E ndaluan gomonen në mes të detit dhe kanë gjuajtur me armë. Ne kërkojmë zbardhjen e çështjes. Kërkojmë hapjen e çështjes, Prokuroria e Vlorës është e korruptuar, se nuk janë hetuar ata që kanë bërë krimin. Është e vetmja tragjedi për arsye se nuk është dhënë ndihma. është njoftuar shteti dhe kanë thënë; po vdesim këtu dhe nuk u bë operacioni i kërkim-shpëtimit për të shpëtuar ata njerëz. I lanë atje për t’u fundosur. Pas 18 orësh ka nisur kontrollet anija italiane. Ne na e mbyllën çështjen që mos të dilte ky grup kriminal. Ne i kërkojmë SPAK zbardhjen e çështjes, të vihen para drejtësisë kriminelët që na kanë vrarë fëmijët. I lanë 17 orë 13 km afër bregut. Ne kemi 8 vetë të zhdukur. Si kemi gjetur ende. Ja ky burrë këtu nuk e ka gjetur djalin e vetëm, si ka një varrë.”, tha Nikollë Mehillaj, kryetar i shoqatës së viktimave.

Kujtojmë se 28 persona humbën jetën, 8 prej të cilëve nuk u gjetën asnjëherë.

Kushtet atmosferike, era e fortë dhe deti i trazuar në janarin e atij viti ishin shkaqet që gomonia e nisur nga Vlora nuk mundi të depërtonte. Ngjarja zuri fill në Gadishullin e Karaburunit, kur shqiptarët e nisur në emigrim kërkuan ndihmë, duke thënë se po mbyteshin.

Tragjedia e 9 Janarit ndodhi në afërsi të Vlorës në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar mbi 6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Si pasojë e mbytjes së gomones 28 persona humbën jetën të moshës nga 15 në 33 vjeç./albeu.com