Trafik kanabisi në vendet e BE, GJKKO lë në burg të arrestuarit

GJKKO lë në fuqi dënimet për të arrestuarit e operacionit ‘Limit’. Nga operacioni “Limit” i kryer në shtator të vitit 2019, mbetën të arrestuar disa persona për shitje dhe trafik lëndësh narkotike në vendet e BE-së.

Në burg janë lënë Bektash Zeneli, Gjergj Muke, Romeo Tare dhe Rexhep Ipeku, Enkelejd Sadiku, Kristo Çobaj, Aleksandër Pepi, Festim Çorbaxhi, Hysni Sadiku, Sokol Nesimi, Andrea Caca, Besjan Zeneli, Bilbil Shqalshi, Eljon Jaho, Emiliano Kalemi.

Pas arrestimeve në 2019, Policia e Shtetit bëri të ditur se aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin. Lënda narkotike trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e tyre të trafikut të drogës.

Mësohet se këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, që vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Në cilësinë e provës materiale, gjatë operacionit në Shqipëri dhe në Greqi, këtyre grupeve iu është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndriçim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.


Shtuar 18.05.2022 16:36