“Tradhtarë!”- Partia Socialiste miratoi projektligjin për Barazinë Gjinore, protestë jashtë Kuvendit

Me 77 vota pro, 36 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot pas një seance maratonë projektligjin për Barazinë Gjinore.

Vendimi ka shkaktuar menjëherë reagime të forta jashtë parlamentit, ku dhjetëra qytetarë dhe mbështetës të opozitës u mblodhën në protestë, duke e cilësuar votimin si “turp” dhe duke akuzuar deputetët socialistë për “tradhti”.

Pas përfundimit të seancës, ish-kryeministri Sali Berisha është parë duke folur me protestuesit.

Opozita kundërshtoi projektligjin për Barazinë Gjinore, pasi sipas tyre projektligji shkel vlerat themelore të familjes duke lënë të hapur përhapjen e gjinive dhe orientimeve të tjera seksuale përveç se dy gjinive mashkull, femër.

Projektligji i Barazisë Gjinore dhe aktet e tjera të rendit të ditës kaluan në votim të menjëhershëm, pasi grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin menjëherë në votim të projektligjeve në rendin e ditës.

PS kërkoi ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin e votimit pa debat pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë.

Seanca maratonë e cila zgjati 12 orë u shoqërua me tensione dhe debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës.


Shtuar 6.11.2025 22:40