Topalli nxjerr “të palarat”, zbardh bisedën në zyrën e Berishës para vendimit për rinumërimin e kutive në Tiranë

Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, ka zbuluar një bisedë të rralë të zhvilluar në zyrën e ish-kryeministrit Berisha, para vendimit për rinumërimin e kutive në kryeqytet.

Komentet ajo i bëri në një intervistë në emisionin ABC Live me Juli Xhokaxhi, ku ka treguar për herë të parë, se si kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përdori administratën për të marrë më shumë vota, në kohën që garonte për kreun e Bashkisë së Tiranës, në vitin 2011.

Sipas Topallit, Basha ka gënjyer në një intervistë të fundit, kur tha se fitorja e Bashkisë së Tiranës, ndodhi sepse nuk përfshiu, ish-kryeministrin Berisha në fushatë.

Pjesë nga Intervista:

Juli Xhokaxhi: Besoj e keni ndjekur në intervistën e tij të vetme kohët e fundit, pati disa gjëra që bën përshtypje, Basha tha se “nuk i kam dhënë kurrë besën Sali Berishës, më ka rënduar shumë që ai më ka quajtur besëprerë…, e vetmja besë ka qenë kur kam qenë 17 vjeç”, a është kështu?

Jozefina Topalli: Çdo gjë që thotë ai nuk është për t’u marrë seriozisht, sepse është tallje me të vërtetën.

Juli Xhokaxhi: Është kryetari i opozitës…

Jozefina Topalli: I ka mbetur vetëm vula deri në 11 dhjetor, sepse edhe atë nuk do ta ketë më. Ka 6 muaj që nuk del në media, ka 6 muaj që nuk u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, ka 6 muaj që nuk shkon në takim me anëtarësinë, ka 6 muaj që ka menduar vetëm për të riqepur edhe njëherë karrigen e tij, që i ka ikur në fakt, dhe kjo tregon për panik, pasiguri. Basha dhe Besa përjashtojnë njëra –tjetrën…

Juli Xhokaxhi: Një tjetër pikë që na bën përshtypje, është fraza që tha se “fitoi zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës sepse nuk përfshiu Sali Berishën në fushatë”, ju keni qenë aty, brenda partisë në 2011?

Jozefina Topalli: Berisha ishte kryeministër, në kulmin e tij, ishte kryatri i Partisë. Po bënte gjithçka për të larguar Edi Ramën nga Bashkia. Unë mbaj mend në atë kohë që kolegë të mi, më thonin se vetëm OKB-në nuk ka prurë Sali Berisha për të bërë Lulzim Bashën Kryetar Bashkie. Aty erdhën të gjithë ministrat, gati u braktisën të gjithë bashkitë e tjera, për të ardhur në Tiranë, Arben Ristani ka folur vetë. Unë do të them diçka për herë të parë, sepse duhet mësuar nga gabimet. Kujtoj se si iu kërkua demokratëve që ishin në administratë, të ndërronin gjendjen civile, për të ardhur në Tiranë që të shtonin votat e Lulzim Bashës.

Juli Xhokaxhi: A ndodhi kjo gjë???

Jozefina Topalli: Sigurisht që ndodhi…

Juli Xhokaxhi: Kërkesë e Sali Berishës apo Lulzim Bashës?

Jozefina Topalli: “Ishte kërkesë e Lulzim Bashës, krijoi shtabin e vetë. Sali Berisha punonte në plane të tjera. Basha për turpin e tij kërkoi aty ku kishte shtabin e tij të ndërronin gjendjen civile, pa folur pastaj për njohjet nga Kosova që kishin edhe shtetësi shqiptare, dhe erdhën e votuan për të. Kur erdhi rezultati dhe Edi Rama doli e 10 vota më shumë, struktura na bëri të ditur se shumë demokratë kishin votuar gabim. Në parimet kryesore të Komisionit të Venecias është vullneti dhe jo vendi. Kam qenë në zyrën e Berishës, mbaj mend se si Luli erdhi dhe na tregoi se si një mik tij gazetar nga Kosova e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë se kishte arritur fitoren morale, që të mos bëhesh pis, është më mirë që ta lësh, praktikisht po na thoshte që ne s’duhet të bënim kërkesë për rinumërim votash. Kujtoj që jam shtangur nga ajo që kërkonte, dhe i kam thënë që nuk ishte ai që vendoste për votat demokratëve. Të nesërmen po më thoshte gjërat që në fakt ja kisha thënë unë, dhe filloi rinumërimi.

Nuk mund të mos përmend faktin që ishim në koalicion me Ilir Metën dhe ka sjellë dhjetëra mijëra vota, e gjitha kjo është për të treguar faktin se gënjeshtra e tij ka limit vetëm qiellin. Kjo është një arsye që unë në media pas 2013, jam përpjekur të bëj diferencën. Korrupsioni gënjeshtra papërgjegjshmëria, në çdo ministri ku ka qenë krijonte një minë me sahat dhe duhet të largohej menjëherë. Berisha u detyrua ta ndryshonte në 3 ministri, krijonte gjithmonë një problem thelbësor, është qenia më e dështuar politike. Nëse dikush do të shkruaj nesër për figurat e politikanëve në Shqipëri, besoj që Basha do jetë figura më qesharake dhe i larguar me turp nga Partia Demokratike.” /albeu.com/