Tifozët i shkojnë në stërvitje dhe kërcënojnë Donnarumman: Mos luaj ndaj Juventusit (FOTO LAJM)

Tifozët ultras të Milanit u takuan gjatë të shtunës me portierin Gianluigi Donnarumma dhe kërkuan që ai të mos luajë në ndeshjen ndaj Juventusit nëse nuk nënshkruan një kontratë të re me klubin kuqezi.

Situata është gjithnjë e më e tensionuar midis portierit dhe tifozëve, pasi ai ende nuk i është përgjigjur propozimit të kontratës përfundimtare nga klubi.

Marrëveshja e tij do të skadojë më 30 qershor, kështu që ai do të jetë një agjent i lirë dhe është raportuar se ai është në bisedime për t’u bashkuar me Juventusin.

Sipas Sky Sport Italia, një grup ultrasish kanë vizituar terrenin stërvitor të Milanellos pasditen e së shtunës, vetëm disa orë para ndeshjes së Serie A me Beneventon.

Ata kërkuan një takim me portierin, takim të cilin klubi e kishte refuzuar fillimisht, por Donnarumma doli gjithsesi për të folur me ta.

Raporti thotë se ata i thanë Donnarummas se nëse ai nuk nënshkruan një kontratë të re gjatë javës së ardhshme, ai nuk duhet të marrë pjesë në përballjen e së dielës me Juventusin.


Shtuar 2.05.2021 14:14