Tentuan t’i rekrutonin bashkëshortin, Ukrainasja “nxjerr kthetrat” ndaj zyrtarëve pro rusë (VIDEO)

Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit, disa raportime tregojnë se si Moska është duke u përpjekur që të marrë qytetarë nga rajoni i Donabasit dhe t’i detyrojë t’i bashkohen luftimeve kundër Kievit.

The Guardian ka publikuar një video e cila mendohet se është regjistruar në fund të muajit qershor, ku tregohet një grua e cila është duke u përballur me zyrtarët të cilët u përpoqën ta detyronin burrin e saj t’i bashkohej luftëtarëve pro-rusë.

Gruaja përpiqet të ndalojë zyrtarët nga komisariati i luftës që ta çojnë burrin e saj në zyrën e rekrutimit në Donetsk.

“Ai nuk dëshiron të shkojë të luftojë. Askush nuk dëshiron të luftojë. Ne jemi shumë të mërzitur me ju dhe luftën tuaj”, thotë ajo.

Ky nuk është rasti i parë, pak kohë më parë ishin nënat e studentëve të shkollave ushtarake, të cilat protestuan për faktin se bijtë e tyre, shumica vetëm 18-19 vjeç, por dërgoheshin në front.

Aq më tepër atyre nuk u jepej asnjë dokumentacion në të cilin do të sqarohej se ku do të dërgoheshin.

Biseda:

Ukrainasja: Çfarë po ndodh? Ktheni pasaportën ju lutem.

Zyrtarët: Hiqe telefonin

Ukrainasja: Telefonin nuk do ta heq. Nuk është aktiv ligji ushtarak. Nuk ka se si të ketë mobilizim pa ligjin ushtarak.

Zyrtarët: Shihe në telefon

Ukrainasja: Nuk ka se çfarë të shoh në telefon. Nuk më intereson aspak shefi juaj. A kuptoni?

Zyrtarët: Më mirë të telefonojmë policinë.

Ukrainasja: Unë po i telefonoj policët. Çfarë është kjo? Po ndodh mobilizim i detyruar. Pse jeni këtu? Persona që më ndiqni shihni ç’po ndodh. Është 28 qershor dhe dokumentet e bashkëshortit tim janë marrë. Ata kërkojnë që ai të shkojë me ta. Nuk ia kthejnë dokumentet dhe pretendojnë që ka nisur një mobilizim i përgjithshëm edhe pse ligji ushtarak nuk është aktiv. Ky nuk është mobilizim vullnetar sepse im shoq nuk do të shkojë të luftojë.

Zyrtarët: Vullnetar apo jo mobilizimi do të ndodhë. Ai është i përshtatshëm për të shërbyer në ushtri.

Ukrainasja: Nuk më intereson. është një pasaportë ukrainas, jam qytetare ukrainase. Ai është qytetar ukrainas. Askush nuk dëshiron të luftojë. Ne jemi shumë të mërzitur me ju dhe luftën tuaj. Ju morët të gjithë burrat. të gjithë të rinjtë. Tashmë kemi varrosur gjysmat e tyre. Kunati im, vëllai im, të gjithë. Për hir të Zotit ka ngelur vetëm një. Kemi një fëmijë me handikap. A ju intereson kjo gjë apo jo?