Tentuan të korruptonin Luftar Reçin, SPAK mbyll hetimet ndaj Gentian Goskovës dhe Ervis Kosovës

Prokuroria e Posaçme (SPAK) në bashkëpunim me BKH ka mbyllur hetimet ndaj Gentian Groskovës i njohur si “Reqi” dhe Ervis Kosovës. Ata akuzohen për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, Luftar Reçi, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme.

Njoftimi i SPAK:

“Lidhur me përfundimin e hetimeve për procedimin penal nr.252/4, viti 2022”
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.252/4 të vitit 2022.

Në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:

1. Gentian Goskova, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 312 dhe 25 i Kodit Penal.

2. Ervis Kosova, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 312 dhe 25 i Kodit Penal.

Hetimi i deritanishëm ka provuar se të pandehurit Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme (deklarime të marra në funksion të procedimit penal nr.252/2020), duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të parashikuara nga nenet 312-25 i Kodit Penal.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së formës së prerë.


Shtuar 11.10.2022 13:01