Policia e Vlorës, ka arrestuar hajdutin serial, duke tentuar të vidhte një banesë. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Florenc Grabovaj, i cili më herët ka vjedhur dhe dy banesa të tjera, në fshatin Nartë dhe lagjen “24 Maji”, në të cilat dyshohet se ka marrë disa pajisje elektroshtëpiake dhe sende të ndryshme personale.
Sakaq, mësohet se gjatë kontrollit fizik, policia i ka gjetur 42-vjeçarit një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Njoftimi i policisë:
“Vlorë/Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, angazhim maksimal në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i kryejnë ato.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm 10”.
Tentoi të vidhte në një banesë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari.
42-vjeçari, Florenc Grabovaj autori i dyshuar i vjedhjes në 2 banesa të tjera.
Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila iu gjet 42-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte hyrë në një banesë në fshatin Nartë, për të vjedhur, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të shpejta është arrestuar në flagrancë shtetasi:
42-vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, është autori i dyshuar i vjedhjes në 2 banesa të tjera, në fshatin Nartë dhe lagjen “24 Maji”, në të cilat dyshohet se ka vjedhur disa pajisje elektroshtëpiake dhe sende të ndryshme personale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.